06/09/2026
Pas disa vitesh, familja Qirici u rikthye në Korçë, në shtëpinë ku dikur u shkruan kapitujt më të bukur të historisë së saj. Teksa familja Qirici kalonte pragun e Domus, nëpër korridore, në dhoma, në oborrin që ka parë breza të tërë të rriten, ata rizbuluan aromat, tingujt dhe emocionet e fëmijërisë. Çdo mur dhe dritare ruante një kujtim së bashku me sofatet e hyrjes!
Mes këtyre kujtimeve u rikthye edhe figura e Nënë Dhorkës (1924-2001), gruas së jashtëzakonshme që me duart e saj të arta qepte jo vetëm veshje, por edhe ëndrra. Ajo që veshi artistë dhe personalitete të kohës, duke lënë pas një emër që Korça e kujton ende me respekt dhe dashuri.
U kujtua gjithashtu Lefter Qirici (1911-2002), juristi i shquar në mbarë vendin dhe prefekti i Kolonjës i cili dha nje kontribut të jashtezakonshëm në shoqërinë vëndase por edhe përtej territorit shqiptar.
U kujtua papa Josif Qirici (1875-1941), patrioti, intelektuali dhe njeriu që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e qytetit dhe të Shqipërisë, zëvendes Mitropolit, mik i ngushte i Fan Nolit dhe ai që celebroi meshën për herë të parë në gjuhën shqipe në Katedralen e Shën Gjergjit në vitin 1914. Papa Josifi ishte gjithashtu nje nga mësuesit e parë të shkollës së Kolonjes, dhe që dha kontributin e tij më të madh në shpalljen e Autoqefalise së Kishës Ortodokse Shqiptare duke hapur Kongresin e Beratit më 12 shtator 1922.
Dhe teksa pasardhësit e familjes Qirici shijonin sërisht Korçën dhe netët në dhomat ku dikur jetuan njerëzit e saj më të dashur, dukej sikur shtëpia po i përqafonte përsëri, duke u gjallëruar akoma më shumë! I jemi falënderues familjes Qirici që na falën momente të paharrueshme së bashku dhe që ndanë me ne copëza kujtimesh të rralla!
Sot, pas më shumë se një shekulli, kjo shtëpi, vazhdon të mbajë gjallë historinë e familjes fisnike Qirici, duke e përcjellë atë në cdo vizitor, vëndas dhe të huaj, duke trashëguar kujtimet dhe duke krijuar çaste që vetëm në Domus Hotel mund të gjenden!
Ka kthime që nuk maten me kilometra, por me rrahjet e zemrës dhe ka vënde që nuk i lëmë kurrë pas, ato jetojnë përgjithmonë brenda nesh!!!
❤️❤️❤️